Ka përfunduar me rezultatin 2-0, për Italinë, ndeshja e shumëpritur e Shqipërisë, luajtur në “Renzo Barbera”.

Kuqezinjtë e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kërcënuan Italinë që në minutën e parë, me një goditje të Cikalleshit, e cila përfundoi jashtë. Menjëherë më pas, është mesfushori fierak, Roshi, i cili dërgon jashtë kuadratit, një top të goditur nga distanca.Në minutën e 11 arbitri gjykon si penallti një kontakt thuajse inekzistent mes Belottit dhe Bashës. 11-metërshin e ekzekuton De Rossi dhe kalon Italinë në avantazh. Pjesa e dytë fillon pa asnjë ndryshim nga e para, por një grup pseudotifozësh shqiptarë kanë menduar të prishin spektaklin dhe bukurinë e kësaj ndeshjeje, duke hedhur flakadanë në fusha, çka ka sjellë ndërprerjen e saj për rreth 15 minuta, nga ana e gjyqtarit kryesor të takimit. Në minutën e 71-të , arbitri bëhet sërish protagonist me akordimin e një faulli të paqenë në favor të italianëve dhe aksioni pas ekzekutimit të tij solli golin e dytë të shënuar nga sulmuesi i Lazio-s, Ciro Immobile. Mbyllet 2-0 për Italinë, në një ndeshje të mirë të tanëve, ndërkohë që mund të thuhet se kombëtarja jonë ka fituar dy futbollistë të rinj, portierin Strakosha dhe mesfushorin gjakovar, Grezda, të cilët dhuruan një paraqitje mjaft të mirë.