Kanë mbërritur në Kosovë 100 afganët e parë. Mediat në Kosovë, shkruajnë se refugjatët, kanë zbritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, nga ku pritet të strehohen më pas në bazën ushtarake “Bondsteel” në Ferizaj.

Për të pritur afganët, në Aeroport, ka qenë e pranishme Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Philip Kosnett. Kujtojmë se SHBA-ja po vazhdon evakuimet nga aeroporti i Kabulit dhe ka thënë se evakuimet do të ndodhin deri më 31 gusht, kur është edhe afati i fundit për t’u larguar trupat e huaja nga Afganistani.

Më herët, talebanët u kishin bërë thirrje shtetasve afganë, që kanë punuar me trupat e huaja, që të mos largohen, duke iu garantuar sigurinë e tyre. Mirëpo qytetarët nuk i kanë besuar këtyre fjalëve dhe kanë vendosur të braktisin vendin, për të mos vendosur në rrezik jetët e tyre.