150 qytetarë kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në aeroportin e Rinasit. Ministria e Jashtme njofton se avioni i ardhur nga Abu-Dabi është ulur në pistë rreth orës 5 të mëngjesit të sotëm. 103 prej tyre janë akomoduar në Qytetin Studenti dhe 47 të tjerë në struktura hoteliere në Durrës. Në total deri tani janë 607 qytetarë afganë të ardhur në Shqipëri 4 ditët e fundit.

Një ditë më parë në vend mbërritën edhe dy avionë të tjerë me 182 afganë në vendin tonë mes të cilëve edhe fëmijë. Avioni i parë nga Kabulli solli 121 afganë në Shqipëri më 26 gusht, ndërsa gjatë 2 fluturimeve të tjera një ditë më pas erdhën 154 persona të ndarë në 2 grupe.

Të gjithë afganët që kanë mbërritur fillimisht janë regjistruar në çadrat e ngritura në Rinas dhe më pas janë shoqëruar për t’u akomoduar një pjesë në konviktet e Qytet Studentit, ndërsa pjesa tjetër në hotele në Durrës. Pjesa më e madhe e tyre janë zëra të shoqërisë civile, aktivistë dhe studentë dhe gra që kishin ngritur zërin për të drejtat e tyre dhe u rrezikohej jeta nga telebanët. Kryeministri Rama deklaroi se një pjesë e afganëve të mbërritur, janë aktivistë pedagogë, punonjës institucionesh, gazetarë, së bashku me familjet e tyre.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë të cilët po largohen nga vendi i tyre, pasi u kërcënohet jeta nga talebanët. Pritet që në Shqipëri të strehohen 4000 afganë të cilët do të qëndrojnë për 1 vit, deri sa ata të marrin vizën për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nëse dikush prej tyre do të qëndrojnë përgjithmonë, është i lirë për ta bërë.