Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, kanë pritur këtë të hënë mbërritjen e 8190 vaksinave nga kompania Pfizer. Sipas kryeministrit, dozat e mbërritura do të injektohet tek mjekët dhe të moshuarit.

Në një komunikim me gazetarët në aeroportin “Nënë Tereza”, para se vaksinat të mbërrinin, kryeministri tha se është në komunikim të vazhdueshëm me një shtet mik, për sigurimin e 360 mijë doza të reja vaksinash, si dhe shtoi se pas pak javësh do të bëjë një vizitë në një shtet për të bërë të mundur sigurimin e sa më shumë dozave.

Ndër të tjera, ai i bëri thirrje pronarëve të lokalëve të mos hapin dyert për politikanët që zhvillojnë fushata zgjedhore në kundërshtim me masat e vendosura, pasi sipas kryeministrit janë ata që do e pësojnë.

Ndërsa ministrja Manastirliu tha se këtë javë objektivi është që të përfundohet vaksinimi i stafeve mjekësore në të gjithë vendin.

“Nga nesër vijojmë të intensifikojmë vaksinimet. Këtë javë kemi ambicien që të mbyllim stafin mjekësor në të gjithë Shqipërinë. Edhe këtë javë jemi në Kukës, Korçë e Berat që do të hapim proceset e vaksinimit dhe kështu vazhdojmë”, tha Manastirliu.

Kujtojmë se procesi i vaksinimit ka nisur prej javësh dhe të parët që e kanë marrë kanë qenë bluzat e bardha. Po ashtu, ditët e fundit vaksinimi është shtrirë tek të moshuarit në shtëpitë e kujdesit, por edhe tek ata që janë +80-vjeç