
15 emigrantë të tjerë të dëbuar nga Italia kanë mbërritur pasditen e së premtes në portin e Shëngjinit. Anija u ankorua në port rreth orës 15:00 dhe pas proçedurave në qendren pritëse në oret e mbrëmjes kontigjenti i emigranteve u transportuan drejt kampit të Gjadrit. Ky është grupi i dytë i emigrantëve të dëbuar nga Italia që vijnë në vendin tonë, pasi më herët mbërritën 40 emigrantë, ku 16 prej tyre deri tani janë larguar nga kampi i Gjadrit, duke i riatdhesuar në vendet e tyre të origjinës.
Në bazë të dekretit të Qeverisë Italiane kontigjente të tilla qëndrojnë në kampin e Gjadrit derisa të deportohen në vendet e tyre të origjinës, ku afati maksimal i qëndrimit do të jetë 18 muaj. Fillimisht, kampi i Gjadrit ishte konceptuar për të strehuar përkohësisht azilkërkuesit e shpëtuar në det nga anijet italiane, për një periudhë deri në 28 ditë. Por me dekretin e ri të qeverise Meloni, “Gjadri” do të shërbejë edhe si qendër ndalimi për emigrantët që nuk kanë më të drejtë azili dhe pritet të deportohen në vendet e tyre të origjinës.