Ka mbërritur në Rinas avioni i Presidentit turk Erdogan në Rinas. Mësohet se avioni është ulur rreth orës 10:30 në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ndërsa kryeministri Edi Rama është duke pritur Presidentin turk. Sapo kreu i shtetit turk ka zbritur nga shkallët e avionit, është takuar përzemërsisht me kryeministrin Rama.

Në një ceremoni zyrtare të përgatitur për nder të tij, janë vendosur dy himnet kombëtare të të dy shteteve. Ndonëse ardhja e Erdogan ishte parashikuar që të ishte në orën 09:25, avioni i presidentit turk ka zbritur në tokën shqiptare një orë me vonesë.

Kjo vizitë përkon me 554-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu.

Më pas nga Rinasi, Erdogan do të udhëtojë drejt Laçit, në kompleksin e apartamenteve që janë ndërtuar falë donacioneve të qeverisë së tij për familje të prekura nga tërmeti i 26 nëntor. Erdogan do të përurojë 524 apartamente të reja të banimit.

Policia e Shtetit ka shtuar masat për pritjen e kreut të shtetit turk. Akset Tiranë-Durrës, Tiranë-Elbasan dhe bulevardet “Dëshmorët e Kombi”, “Zhan D’Ark”, “Bajram Curri”, dhe shumë të tjera do të bllokohen me orare të caktuara.

Artikulli paraprakBASHA NXJERR VIDEON: DEMOKRATËT KANË ZGJEDHUR TË ARDHMEN, SHQIPTARËT DUAN NDRYSHIMIN
Artikulli tjetërNGA PËRSHËNDETJA ME KOKË ME RAMËN TE PRITJA ZYRTARE NË RINAS, PRESIDENT TURK NIS VIZITËN NË SHQIPËRI