Pas mbërritjes së 38400 dozave të AstraZenecas mbrëmjen e djeshme, sot do të nisë procesi i vaksinimit për mësuesit dhe pedagogët.

Vaksinimi do të nisë te shkolla 4 Dëshmoret. Të pranishëm do të jenë edhe kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Rama tha dje se disa shkolla në të gjithë vendin do të kthehen në qendra vaksinimi që do të bëjnë dhe vaksinimi e mësuesve me dozat e vaksinës AstraZeneca. Kryeministri bëri gjithashtu të ditur se gjatë muajit prill do të vijnë edhe 60 mijë doza të tjera nga AstraZeneca dhe 30 nga Pfizer.

Përtej debatit në disa shtete, në Shqipëri vaksinat e AstraZeneca-s do të përdoren në çdo grupmoshe. Nisur nga vendimet e disa shteteve në veri të Europës që kanë ndaluar vaksinimin me dozat e AstraZenecas,

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka dalë në një deklaratë zyrtare që ka sqaruar se ajo është e sigurt dhe e efektshme. Nga ana tjetër, edhe vetë kompania është shprehur se kjo vaksinë nuk mpiks gjakun, siç është raportuar dhe kjo është e bazuar në studime konkrete.

Më herët shefja e ISHP-së, Silva Bino tha se kjo vaksinë është e sigurt dhe e efektshme te të gjitha moshat, jo vetëm mbi 65-vjeç.

Studimet e kanë vërtetuar një gjë të tillë, shtoi Bino, për këtë arsye Italia dhe Gjermania janë tërhequr nga vendimi për të vaksinuar me AstraZeneca vetëm mbi 65-vjeç dhe e kanë shtrirë atë në të gjithë popullsinë.