1170 dozat e reja të vaksinës anti-COVID të kompania Pfizer kanë mbërritur mbrëmjen e djeshme në Shqipëri!

Kësisoj sot do tu injektohet doza e dytë të gjithë atyre që kanë marrë dozën e parë. Ndër të vaksinuarit e parë do të jetë edhe kryeministri Edi Rama, së bashku me një grup mjekësh si Najada Çomo, Mira Rakacolli dhe Tritan Kalo, të cilën do ta marrin dozën e dytë te ‘Air Albania’, siç ka ndodhur herën e parë.

Avioni me dozat e vaksinës është ulur në Rinas mbrëmë rreth orës 20:30, proces ky i gjithi i transmetuar “live” , pas kritikave në drejtim të kryeministrit Edi Rama për mungesë transparence me vaksinat e sjella nga vendi mik. Dozat u pritën nga Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj.

Në konferencën për shtyp, shefi i qeverisë sqaroi se shkak pse nuk është marrë doza e plotë është bërë vonesa nga vetë kompania. Kjo ka ndodhur në shumë vendet e Europës, ndërkohë që kompania Pfizer ka deklaruar se në gjysmën e shkurtit do të fillojë sërish shpërndarja, me kapacitet të plotë.

Pikërisht, nisur nga kjo, Rama theksoi se Pfizer zotohet se brenda muajit shkurt, do të vijnë dhe dozat e angazhuara, qoftë 10700 apo të 30 mijë të tjera. Megjithatë, Rama ka deklaruar se shpresat nuk i ka “varur” vetëm te kjo kompani, pasi është shumë pranë finalizimit të marrëveshjes me Astrazeneca.

Nga ana tjetër, Rama deklaroi se është e pamundur që t’i dhurojnë vaksina Kosovës. Kjo sepse ia ndalon kontrata, por gjithsesi në vijim të premtimit të dhënë, shefi i qeverisë deklaroi se 50 mjekë nga spitali COVID i Prishtinës do të vaksinohen në Shqipëri. Me 1170 dozat e reja të marra nga Pfizer, do të vijojë procesi i vaksinimit me mjekët dhe infermierët dhe më pas në shkurt me të moshuarit.