Mbi 1400 të mitur janë përfshirë në vepra penale të ndryshme me rrezikshmëri, ku 900 prej tyre kanë mbetur të dëmtuar.

Drejtori i policisë Ardi Veliu shprehet se kemi rritje të numrit të vrasjeve për këtë vit, ndërsa shqetësim është krimi në familje. Ndërkohë ministri i Brendshëm Sandër lleshaj evidentoi raste të korrupsionit në polici, teksa po raportonte për buxhetin e ministrisë për vitin 2020.

Mbi 1400 të mitur janë përfshirë në vepra penale me rrezikshmëri nga janari deri në shtatorin e këtij viti. Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu tha në Komisionin e Sigurisë se 900 prej këtyre personave kanë mbetur dhe vetë të dëmtuar nga veprat penale të vjedhjes, plagosjes së lehtë me dashje, shkatërrim të pronës apo kanosje.

Veliu: Janë evidentuar 1400 të mitur të dyshuar si autorë të veprave penale. Numri më i lartë i të miturve të dyshuar si autorë paraqitet në tendenca kriminale dhe rrezikshmëri të ulët shoqërore.

Kryepolici tha se brenda 9 muajve ka rritje të veprave kriminale dhe rritje të numrit të vrasjeve ndërsa shqetësuese janë krimet brenda familjes, ku këtë vit numërohen 14 vrasje, 4 me shume se vitin e shkuar, me 17 viktima.

Veliu: Janë evidentuar 49 vrasje nga 45 të ndodhura vitin e kaluar, 14 prej tyre kanë ndodhur në familje dhe kanë shkaktuar 17 viktima.

Në komisionin e sigurisë ishte edhe ministri i brendshëm Sandër Lleshaj i cili renditi disa nga prioritetet në lidhje me buxhetin e vitit 2020.

Lleshaj: Projekti i cili do të mundësojë që Policia e Shtetit do ketë për herë të parë një korpus të ri të ndërtuar posaçërisht si i tillë.

Lleshaj evidentoi korrupsionin në radhët e policisë, ku janë arrestuar 50 efektive pasi janë konstatuar duke kryer vepra të korrupsionit.

Lleshaj: Kryesisht në fushën e qarkullimit rrugor dhe kufirit. Janë dy pika të dobëta ku ne kemi probleme me integritetin e punonjësve të caktuar që shërbejnë atje.

Gjatë diskutimeve për buxhetin, ministri Lleshaj kërkoi rritje të fondeve për rritje të kapaciteteve dhe investimeve në institucionet e policisë, por duke përjashtuar pagat e efektivëve.