Që prej fillimit të procesit të vaksinimit kundër COVID-19, në Kosovë deri më tani kanë arritur të marrin vaksinën mbi 200 mijë qytetarë.

Këtë fakt e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë. Në të dhënat që ka publikuar MSH-ja, thuhet se prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 205 mijë e 884 doza të vaksinës.

Kurse me dozën e dytë të vaksinës janë vaksinuar 49 mijë e 207 qytetarë.

Ministria gjithashtu ka siguruar qytetarët se të gjitha vaksinat kundër COVID-19 të cilat janë duke u dhënë në Kosovë, përfshirë edhe ato që janë marrë javën e kaluar donacion nga Mbretëria e Norvegjisë kanë afat të mjaftueshëm përdorimi dhe i kanë kaluar të gjitha procedurat e aprovimit për përdorim të sigurt.

Kujtojmë se të shtunën Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ka pranuar 182,000 doza të vaksinës AstraZeneca që janë donacion nga Norvegjia. Ndryshe dje në vendin tonë janë konfirmuar 9 raste të reja me koronavirus, si dhe është shënuar edhe një rast i vdekjes.