Deklaratë për shtyp – PD Shkoder.

Të nderuar qytetarë të Bashkisë Shkodër, si dhe mbarë qarkut! Sikur të mos mjaftonte pesha e halleve të këtyre diteve të ftohta të janarit, ajo shtohet më tej nga qeveria nëpërmjet mekanizmit të saj të kriminalizuar OSHEE, duke ngrirë më tej shpresën dhe besimin. Ndryshe nga premtimet e Qeverisë dhe Kryemininistrit Rama për zhdukjen nga qarkullimi të faturës aforfe të energjisë dhe mbifaturimit abuziv, ato u shfaqën përsëri, por në një formë më të egër dhe shumë më abuzuese se më parë. Janë me qindra e me mijëra Kw energji elektrike që iu mbifaturuan të gjitha familjeve në mbarë qarkun, e përkthyer në lekë, çdo familjeje shkodrane i janë vjedhur 25–40 mijë lekë të vjetra për një muaj. Pra, edhe shpërblimi prej 60 mijë lekësh të vjetra që iu dha pensionistëve në prag të Vitit të Ri, ishte një farsë, sepse brenda pak ditësh qeveria ua mori përsëri atyre dhe jo vetëm atyre, nëpërmjet mbifaturimeve.

Që të gjithë jeni dëshmitarë të radhëve të gjata të qytetarëve që presin për të paraqitur ankimimin e tyre pranë zyrave të OSHEE-së për mbifaturimet e fundit. Këto radhë do vazhdojnë edhe për shumë ditë, sepse kemi të bëjmë me një vjedhje të organizuar dhe në përmasa të mëdha.

Asnjë nëpunës i thjeshtë shtetëror, nuk do guxonte ta kryente këtë veprim pa urdhër të eprorëve në Shkodër dhe Tiranë. Partia Demokratike Shkodër, dënon ashpër ketë vjedhje të hapur dhe në përmasa të mëdha të kryer në bashkëpunim. Të nderuar qytetarë! Ata që guxuan të bëjnë këtë vjedhje masive, “janë dekoruar” nga kjo qeveri antisociale, sepse kanë qenë shumë të zellshëm në penalizimin e dhjetra e qindra kryefamiljarëve për vjedhje të energjisë elektrike, duke i keqtrajtuar, shoqëruar, arrestuar dhe burgosur, pa çuar ndonjëherë nëpër mend të vlerësojnë raportet ligj dhe moral shoqëror.

Paradokset vijojnë të jenë pjesë e përditshmërisë së qeverisë Rama. Kur një individ vjedh energji elektrike në dëm të OSHEE-së përbën krim dhe arrestohet e dënohet. Po kur këtë veprim e kryen vetë OSHEE-ja, në përmasa të mëdha dhe në dëm të qytetarëve, si quhet ai? Çfarë krimi është konsumuar? Përgjigja është e thjeshtë për çdonjërin: vjedhje në bashkëpunim dhe shpërdorim klasik i detyrës. Në këto kushte, Partia Demokratike Shkodër u kërkon agjensive të zbatimit të ligjit të merren sa më parë me këtë çështje, duke filluar që nga Drejtoria e Policisë me sektorin kundër krimit ekonomik e deri tek Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër, e cila duhet ta kishte filluar kryesisht çështjen penale. Gjithashtu, i kërkojmë Drejtorisë Rajonale, Drejtorisë së Përgjithshme të OSHEE-së, si dhe Ministrisë së Energjitikës, të marrin masa për ndërprerjen e menjëhershme të mbifaturimeve, duke anuluar faturat e mbifaturuara, kthimin mbrapsht të vlerës së mbifaturuar të gjithë atyre që i kanë paguar deri më sot si dhe të kërkojnë falje publike për këto veprime haptas të kundraligjshme.

Partia Demokratike do e ndjekë me kujdes këtë çështje dhe nëse nuk ndërrmerren veprimet e duhura ligjore, do i kërkojë qytetarëve shkodranë të marrin në dorë fatet e veta. Ne do jemi në krah të tyre.

Artikulli paraprakNJË “VRASËS I HESHTUR” PO ZHVILLOHET NË VAU-DEJËS
Artikulli tjetërCUNGU I PAKËNAQUR: NGRICAT NË ULQIN PROBLEM