
Fusha e stadiumit “Loro Boriçi” duket se pak nga pak po vjen në gjendjen e duhur. Pamjet e filmuara pikërisht këtë të shtunë nga Star Plus pas mbjelljes së barit të ri, tregojnë ndryshimin e pësuar në fushën e këtij stadiumi. Pas mbjelljes së barit, ditët e fundit ai ka filluar të dalë mbi sipërfaqe. Si rrjedhojë, edhe pamja është krejt ndryshe, teksa mbizotëron ngjyra e gjelbërt. Megjithatë, akoma asgjë nuk ka përfunduar. Bari i ri do të vazhdojë të mbijë edhe për pak ditë dhe më pas do të fillojë edhe korrja e tij.
Nga sa thuhet nga përgjegjësit e stadiumit, pritet që gjithçka të jetë gati më 31-tetor, ditë kur Kombëtarja e Shqipërisë së femrave do të luajë në “Loro Boriçi” ndeshjen ndaj Irlandës dhe një ditë më pas, do të luhet pastaj ndeshja Vllaznia-Erzeni. Gjërat duket se kanë shkuar mirë, kjo ndikuar edhe nga kushtet e mira atmosferike që po mbizotërojnë gjatë këtyre ditëve në vendin tonë.
Zakonisht, ky proçes punimesh, sipas specialistëve, duhet të bëhet si çdo vit tjetër në këtë periudhë, shtator-tetor, pavarësisht se një gjë e tillë prishi jo pak planet e Vllaznisë së futbollit. Kujtojmë se, “Klasiken” ndaj Tiranës, Vllaznia e luajti në Kukës, për shkak të këtyre punimeve që po bëheshin për mbjelljen e barit të ri të fushës së stadiumit “Loro Boriçi”. Megjithatë, tashmë fusha e stadiumit “Loro Boriçi” duket se pak nga pak po vjen në gjendjen optimale të saj dhe pritet që gjithçka të jetë gati deri në fund të muajit.