Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka zhvilluar mbledhjen e radhës, ku janë miratuar një sërë vendimesh që prekin shërbimet publike, mbështetjen sociale dhe projektet zhvillimore në territorin e bashkisë.

Këshilltarët miratuan dhënien e pëlqimit për trajtimin e pasurive nr. 805 dhe nr. 806, sipas parashikimeve të Ligjit nr. 21/2025 “Për Paketën e Maleve”, si edhe listën e subjekteve që do të njihen si “Posedues Jopronarë”, së bashku me planrilevimet përkatëse në zonat e zhvillimit të Bashkisë Shkodër.

Mes vendimeve të rëndësishme është miratimi i përdorimit të fondit shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike, deri në 6% për muajin maj 2026, si dhe dhënia e ndihmës financiare për qytetarët që kanë pësuar dëme nga zjarret.

Në fushën e sportit u dha miratimi për nënshkrimin e marrëveshjes së investimit me Federatën Shqiptare të Futbollit për rikonstruksionin e terreneve sportive në kompleksin “Zmijani”, ndërsa në sektorin e arsimit u miratuan planet për përmirësimin e shërbimit në arsimin parashkollor dhe atë parauniversitar.

Po ashtu, Këshilli Bashkiak miratoi subvencionimin e transportit qytetës dhe rrethqytetës të udhëtarëve, si dhe një ndryshim në vendimin e mëparshëm që lidhet me rrjetin e linjave, stacionet e qëndrimit dhe tarifat e biletave të transportit publik.

Sipas Bashkisë Shkodër, vendimet e miratuara synojnë rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, mbështetjen e shtresave në nevojë, përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe arsimore, si dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm në të gjithë territorin e bashkisë.

Artikulli paraprakTRYEZA RAJONALE “PERSPEKTIVAT E ZHVILLIMIT TË TURIZMIT”
Artikulli tjetërRRUGA E KOMANIT, MË E SIGURT DHE MË FUNKSIONALE