
Është zhvilluar mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, ku disa prej pikave të rendit të ditës janë shoqëruar me debate dhe kundërshtime nga opozita. Një prej vendimeve kryesore lidhet me qëndrimin e Bashkisë Shkodër për projektin e ri të ndarjes administrative-territoriale.
Nëse reforma miratohet përfundimisht nga Kuvendi, harta administrative e Bashkisë Shkodër pritet të pësojë ndryshime. Sipas projektit, në territorin e Bashkisë Shkodër parashikohet përfshirja e Dukagjinit dhe Velipojës me termin qytet.
Mbledhja është shoqëruar me debate mes këshilltarëve të mazhorancës dhe opozitës.
Propozimi u miratua me 26 vota pro, 10 kundër dhe 1 abstenim. Këshilltarët e Partisë Demokratike kanë votuar kundër, duke kundërshtuar riorganizimin e propozuar dhe duke e lidhur reformën me nismën e Partisë Socialiste.
Projekti parashikon ndryshime në strukturën aktuale të qeverisjes vendore dhe reduktimin e numrit të bashkive në rang vendi, nga 61 në 46. Propozimi pritet të vijojë tashmë procedurat në nivel qendror, ndërsa vendimi përfundimtar për reformën i takon Kuvendit.


