Në mbledhjen e radhës Këshilli Bashkiak Shkodër miratoi një sërë vendimesh me synim forcimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, rritjen e eficiencës financiare dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm në territorin e bashkisë.
Mes vendimeve të miratuara janë përdorimi i fondit shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike (deri në 6%) për muajin janar 2026 dhe dhënia e ndihmës financiare për familjet e dëmtuara nga zjarret. Po ashtu u vendos zgjedhja e përfaqësuesve të Këshillit Bashkiak në Këshillin e Qarkut Shkodër.
Këshilli miratoi ndryshime që lidhen me nivelin e pagave të funksionarëve, nënpunësve civilë dhe punonjësve administrativë, si dhe miratoi raportin e vlerësimeve dhe parashikimeve afatmesme të të ardhurave për vitet 2027–2029. U krye edhe shtesa e planit në buxhetin 2026 dhe përcaktimi i destinacionit të fondeve të grantit të bazuar në performancë për vitin 2025.
Në fushën e investimeve sociale u miratua shtesa e planit në buxhet për projektin “Shtëpia që ndërton të ardhmen – Rikonstruksion i Shtëpisë së Fëmijës (6–15 vjeç)”. Po ashtu u miratua Udhëzuesi i Aplikimit për skemën e granteve për biznese inovative 2026–2028, ndërsa u miratuan ndryshime dhe shtesa në VKB nr. 1, datë 22.01.2016, për taksat dhe tarifat vendore.
Në lidhje me menaxhimin e pasurive pyjore, u mor vendim për ndryshim në VKB nr. 18, datë 20.07.2023, për dhënien me qira të ekonomisë pyjore “Pruemos Sheldi”, Njësia Administrative Gur i Zi. Një tjetër vendim i rëndësishëm ishte miratimi i Planit Lokal të Veprimit për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike për periudhën 2026–2036.
Autoritetet theksuan se këto vendime synojnë adresimin e nevojave sociale të menjëhershme, përmirësimin e menaxhimit financiar të bashkisë dhe promovimin e projekteve zhvillimore e mjedisore afatgjata.
Në fund të mbledhjes një hapësirë mori edhe protesta në Rrjoll .

Artikulli paraprakPËRMBYTJET DËMTOJNË BUJQËSINË NË KURBIN
Artikulli tjetërLEZHA BËHET GATI PËR 582-VJETORIN E BESËLIDHJES