
Është mbledhur paraditen e sotme Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Raportin e Dick Marty, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.Në këtë mbledhje të parë u bë konstituimi i Komisionit, ngritja e sekretariatit teknik dhe përcaktimi i relatorëve.
Deputetët vendosën që për këtë komision të jetë dy relatorë, një nga PS dhe një nga grupi i deputetëve të pavarur, respektivisht Klodilda Bushka dhe Elena Xhina.
Përbërja e komisionit është konfirmuar sipas votimit në seancën plenare të Kuvendit, me 9 deutetë: Ulsi Manja kryetar, Enver Roshi zv. kryetar, Klodilda Bushka Sekretare dhe anëtarët Alket Hyseni, Adnor Shameti, Ermonela Felaj, Myslim Murrizi, Edmond Stojku, Enver Roshi dhe Elena Xhina.
Në fjalën e tij kryetari i këtij komisioni, Ulsi Manja sqaroi se objekti kryesor është sqarimi i punës që është bërë për sqarimin e akuzave të shprehur në raportin e Dick Marty, i miratuar në vitin 2011 në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Kuvendi i Shqipërisë, me propozim të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, miratoi më 26 nëntor me 83 vota pro, 10 kundër dhe 10 abstenim,ngritjen e Komisionit të Posaçëm për pretendimet në raportin e Dick Marty për luftën në Kosovë, që implikonte UÇK-në.






