
Në kuadër të përgatitjeve për sezonin turistik 2026, në Velipojë u zhvillua takimi koordinues i Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit, me pjesëmarrjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia, dhe zëvendësministres së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Marinela Prifti. Në hapje të takimit, prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda, theksoi rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional për garantimin e një sezoni turistik të sigurt, të organizuar dhe me standarde të larta shërbimi.
Gjatë takimit u diskutuan masat për rritjen e sigurisë në plazhe dhe hapësira publike, menaxhimin e trafikut dhe parkimeve, administrimin e mbetjeve urbane, sigurinë ushqimore, mbrojtjen e mjedisit, si dhe monitorimin e aktiviteteve në zonat turistike. Zëvendësministrat theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve për të garantuar një sezon turistik sa më të suksesshëm.
Pjesëmarrësit vlerësuan se rritja e numrit të vizitorëve në Qarkun Shkodër krijon mundësi të reja për zhvillimin e turizmit, por njëkohësisht kërkon angazhim të shtuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse.
Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, deklaroi se Bashkia Shkodër ka marrë të gjitha masat e nevojshme për sezonin turistik, duke garantuar funksionimin e hapësirave publike dhe të plazheve të menaxhuara nga bashkia sipas standardeve të kërkuara.
Objektivi i përbashkët i institucioneve mbetet ofrimi i shërbimeve cilësore dhe promovimi i Shkodrës si një destinacion turistik i sigurt, mikpritës dhe i qëndrueshëm gjatë sezonit veror 2026.
https://youtu.be/mlBE8t5L918






