
Në pikën turistike Zogaj u zhvillua takimi i Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit, ku morën pjesë përfaqësues të 5 bashkive të qarkut të Shkodrës. Ata dhanë vlerësimet e tyre për nevojat dhe prioritetet e sezonit turistik që pritet të nisë.
Drejtuesja e këtij komiteti, prefektja Holta Duda, tha se viti që kaloi ishte shumë i mirë për turizmin, ndërsa kërkoi marrjen e të gjitha masave nga bashkitë dhe institucionet për një sezon turistik të qetë dhe pa problematika.
Përfaqësues të 5 bashkive bënë bilancet e tyre, duke nxjerrë në pah arritjet, por edhe problematikat.
I pranishëm në takim, nëndrejtori i Policisë së Shkodrës, Akil Kalther, theksoi se janë marrë masa për sezonin turistik, ndërsa shtoi si problematikë pjesën muzeale të pedonales në Shkodër.
Prefektja la udhëzime të qarta për marrjen e të gjitha masave për garantimin e sezonit turistik në të gjithë qarkun e Shkodrës.






