Rritja e rasteve të reja me COVID në 24 orë, ka bërë që Komiteti Teknik i Ekspertëve të marrë masa të reja shtrënguese me qëllim ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të këtij infeksioni. Mbledhja do të zhvillohet ditën e sotme, ku pritet që të ketë një ndryshim të orës policore. Nga sa bënë me dije burimet, pritet që mbyllja të nis që në orën 20:00 dhe jo 22:30, siç është aktualisht.

Ajo që dihet, dhe është paralajmëruar më herët edhe nga kryeministri Edi Rama, është se do të ketë një rritje të gjobave për baret, restorantet dhe qendrat tregtare. Kjo sepse sipas Ramës, nuk kanë respektuar protokollet, ku nuk kanë munguar festat me grumbullime të mëdha njerëzish.

Megjithatë, ajo që është e sigurt është qe vendi nuk do të ketë një mbyllje totale si në fillim të pandemisë. Kujtojmë që ditën e djeshme vendi ynë arriti në shifra rekord që nga fillimi i pandemisë, ku u konfirmuan 1239 persona dhe 16 humbje jete.

Më herët edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se ka dyshime që variantet e reja të COVID kanë mbërritur në Shqipëri dhe për këtë ka dhënë disa argumente se si ka lindur ky dyshim.

Këto variante të reja dyshohet se mund të kenë prekur kryesisht të rinjtë, sqaroi Manastirliu, teksa shtoi se mostrat janë dërguar në Berlin për të pasur një konfirmim ose jo të këtij dyshimi.