
Në ambientet e Bibliotekës Publike “Marin Barleti” në Shkodër u zhvillua mbrëmja letrare “Me pendlat e korbit të bardhë”, e organizuar në nder të 100-vjetorit të lindjes së Martin Camajt – një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë moderne dhe studimeve albanologjike.
Veprimtaria bashkoi studiues, shkrimtarë, aktorë dhe lexues në një mbrëmje të mbushur me ndjeshmëri poetike dhe kujtesë intelektuale.
Aktorë të Teatrit “Migjeni” interpretuan me përkushtim fragmente të zgjedhura nga krijimtaria e Camajt, duke rikthyer në vëmendje thellësinë dhe bukurinë e gjuhës së tij.
Martin Camaj, i lindur më 21 korrik 1925 në Temal të Dukagjinit, konsiderohet si një nga përfaqësuesit më të spikatur të postmodernizmit në letërsinë shqipe. Për dekada me radhë, ai drejtoi katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Mynihut, duke mbetur gjithnjë i lidhur me gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar, pavarësisht largësisë fizike nga atdheu.






