
Teatri “Migjeni” i Shkodrës u ndez mbrëmjen e së enjtes me tingujt e një recital’i të veçantë muzikor, ku flautisti Elvis Rudi dhe pianisti Marin Gjollma sollën për publikun një performancë të rafinuar. Koncerti, i përfshirë në programin “KontraPunkt 2025”, shënoi rikthimin e tyre në skenën shkodrane pas dy vitesh mungesë, duke sjellë me vete një energji të re artistike.
Në interpretimin e tyre, Rudi dhe Gjollma sollën vepra të përzgjedhura nga kompozitorë të mëdhenj si Georg Friedrich Händel, Gaetano Donizetti, Philippe Gaubert, Sigfrid Karg-Elert dhe George Enescu. Repertori i larmishëm ndërthurte elegancën baroke, virtuozitetin romantik dhe ngjyrimet moderne, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë artistike.
Dy instrumentistët ndanë emocionet e rikthimit në skenën e Shkodrës, duke e konsideruar këtë event një takim të veçantë me publikun artdashës.
Në mbyllje të mbrëmjes, publiku i pranishëm i përshëndeti dy artistët me duartrokitje të zjarrta, duke e kthyer performancën në një përjetim të paharrueshëm muzikor.
Koncerti u mundësua nga Ministria e Kulturës, Bashkia Shkodër dhe Teatri “Migjeni”.






