Mbyllën Kakavijën në 2013, u hiqet imuniteti dy deputetëve të Agimit të Artë

 

Parlamenti grek u ka hequr imunitetin dy deputetëve të Agimit të Artë, Hristos Papas dhe Konstandinos Barbarusis, që të dy të angazhuar në vitin 2013 në bllokimin e doganës greke në Kakavijë. Në ditët e para të shtatorit të 2013, dy deputetët, të mbështetur nga dhjetra anëtarë të partisë neonaziste, bllokuan doganën në shenjë proteste për çështjen e varrezave greke në Përmet dhe për përvjetorin e vdekjes së Aristotel Gumës në Himarë. Heqja e imunitetit u siguron autoriteteve greke që të hetojnë lirisht dy deputetët, ndaj të cilëve rëndon edhe akuza e pjesëmarrjes në organizatë kriminale. Pas heqjes së imunitetit, Papas tha se do të bënte të njëjtën gjë sërish, ndërsa Barbarusis pa dashje ka nxjerrë bllof qëndrimin e zyrtar grek se nuk ka ligj lufte me Shqipërinë, duke thënë se “përsa kohë është i skllavëruar vorio-epiri, do të ekzistojë edhe ligji i luftës”. “Do të shkoj përsëri në pikën e Kakavijës! Do të shkoj edhe me njerëz të tjerë edhe me autobusa. Di t’i mbaj premtimet dhe nuk ndryshoj bindjet në baze të interesave vetjake. Ne nacionalistet dhe unë personalisht mund të shkojmë edhe në burg për idetë tona”, deklaroi Papas në Parlament. “Ne, se i mërzitem miqtë tuaj shqiptare, do Zoti t’ja kemi arritur dhe le të jemi të rrezikshëm për miqësinë tuaj. Për mua personalisht, sa është i skllavëruar vorio-epiri ynë, do të ekzistojë edhe ligji I luftës”, deklaroi Konstandinos Barbarusis. Në 2013, duke mbajtur në duar flamujt e Greqisë dhe të partisë së tyre, Papas dhe Barbarusis kanë hedhur parrulla si “Atje lart në Përmet do të ngrejmë përsëri flamurin grek”, “Vorio Epiri është Greqi, do të kthehemi sërish për këtë tokë”. “Shqipëria e ka frikë “Agimin e Artë”, pasi është e vetmja parti, që ka në programin e saj betejën për helenizmin e Vorioepirit”, deklaronte deputeti Papas në atë kohë. Po në shtator të 2013 u ndaluan 6 deputetë të Agimit të Artë, të akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale. Ata akuzohen për të paktën dy vrasje dhe dhjetra tentativa vrasjeje, armëmbajtje pa leje dhe sulme të dhunshme që nga viti 1987.