Mbyllet edicioni i 16-të i festivalit operistik “Marie Kraja” Triumfon sopranoja gjeorgjiane Ilona Mataraze

 Ka udhëtuar drejt Gjeorgjisë trofeu i çmimit të parë të Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Maria Kraja”. Sopranoja Ilona Mataraze, është fituesja e këtij edicionit të 16-të, që solli në skenën e Teatrit Kombetar të Operas dhe Baletit zëra virtuozë dhe vokale brilante. Në vendin e dytë u rendit Andreë Kymach, bariton nga Ukraina, ndërsa çmimi i tretë shkoi për Klodian Kaçani, tenor nga Shqipëria. Çmimeve traditë të këtij festivali, këtë vit iu shtua dhe çmimi “Këngëtari i së ardhmes, Nina Mula”, i akorduar nga familja Mula, që i shkoi Maria Eleni Stiftompola. Ndërkohë për Garën e Këngës, çmimin e të cilës e zgjedh orkestra e TKOB, fitues doli Renisa Lacka, soprano nga Shqipëria. Në dy netë Festivali “Maria Kraja” solli në Tiranë jo vetëm ariet margaritare dhe këngët më të famshme të repertorit botëror, por dhe yjet e rinj të skenës operistike. Për dy netë, edicioni i 16-të i këtij festivali i solli publikut shqiptar magjinë e muzikës më të mirë botërore duke mbushur përplot, sallën e Teatrit Kombetar të Operas dhe Baletit.