Me nisjen e sezonit turistik veror ka vijuar procesi i dezinsektimit në zonat ligatinore, urbane dhe bregdetare në të gjithë vendin, një ndërhyrje e rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit publik dhe garantimin e një mjedisi më të sigurt për qytetarët dhe pushuesit.
Procesi ka nisur në përputhje me planin kombëtar të monitorimit dhe kontrollit, duke synuar uljen e dendësisë së mushkonjave në zonat me risk më të lartë.

Edhe më herët, mushkonjat janë identifikuar si një shqetësim i vazhdueshëm në zonat urbane dhe turistike si Velipoja, duke e bërë këtë proces të domosdoshëm çdo sezon. Gjatë këtij trajtimi të parë janë përfshirë mbi 10 hektarë sipërfaqe, kryesisht kanale të ujërave të zeza, pellgje dhe zona kënetore, të cilat konsiderohen si vatra kryesore të zhvillimit të insekteve.
Ndërhyrja është realizuar nga njësia vendore e kujdesit shëndetësor dhe shërbimi epidemiologjik , duke përdorur metoda dhe preparate të certifikuara për të qenë efektive, por njëkohësisht të sigurta për mjedisin dhe komunitetin.

Në bazë të planit të punës, procesi nis zakonisht në muajt prill-maj dhe vijon deri në shtator-tetor, duke zgjatur rreth gjashtë muaj dhe duke mbuluar periudhën me aktivitetin më të lartë të mushkonjave.Procesi i dezinsektimit po vijon në të gjithë vendin sipas hartës së zonave turistike dhe urbane të përcaktuara nga ekspertët epidemiologë, duke garantuar më shumë siguri shëndetësore dhe qetësi për pushuesit vendas dhe të huaj gjatë sezonit veror.

 

Artikulli paraprakFUNDJAVA, FLUKS PUSHUESISH NË SHËNGJIN
Artikulli tjetërSHQIPËRIA HUMB MIQËSOREN E DYTË NDAJ LUKSEMBURGUT