Disa detaje të reja janë zbardhur nga ndarja nga jeta e 17 vjeçares Enisa Doda e cila humbi jetën në plazhin e Velipojës. Prokuroria ka ngritur akuza të tjera ndryshe nga policia. Organi i akuzës ka ngritur veprën penale “vrasje nga pakujdesia” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” duke hedhur poshtë veprën penale të policisë “shkaktim i vetëvrasjes”.

Prokuroria ka dyshime se vajza ka humbur jetën nga pakujdesia duke rënë në ujë nga motoskafi dhe duke u mbytur. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore vajza nuk ka shenja dhune dhe është vërtetuar se ka humbur jetën nga mbytja. 25 vjeçari dyshohet se pasi vajza ka rrëshqitur nga motoskafi nuk i ka dhënë ndihmën e parë dhe është larguar.

Sipas burimeve shtetasi Indrit Bajraktari i cili u arrestua nga policia për shkak se vajza që humbi jetën ishte me të në një motoskaf nuk ka pranuar që të japë asnjë deklarim për oficerin e policisë gjyqësore duke mos dhënë asnjë lloj sqarimi rreth ngjarjes së ndodhur. I vetmi deklarim i 25 vjeçarit ka qenë gojarisht për policët në momentin kur e kanë arrestuar duke i thënë se vajza ka rrëshqitur nga motoskafi ndërsa më pas për oficerin e policisë gjyqësore ka heshtur duke mos dhënë asnjë deklarim. “Do të flas në gjyq”, është shprehur shtetasi Indrit Bajraktari.

Nga sa mësohet dy të rinjtë, Indrit Bajraktari dhe Enisa Doda që humbi jetën mësohet se kanë marrë një motoskaf me qera për 30 minuta. Ky afat kohor ka kaluar dhe të rinjtë nuk janë kthyer. 10 minuta pasi kishte kaluar afati, janë kthyer një çift tjetër që po ashtu kishin marrë një motoskaf dhe djali që ndodhej tek motoskafi tjetër duke bërë xhiro në det i ka thënë pronarit të motoskafit se ka parë se ata personat që kanë marrë motoskaf, njëri prej tyre është duke u mbytur.

Në atë moment pronari është futur në ujë me një motoskaf tjetër dhe e ka gjetur shtetasin Indrit Bajraktari duke u kthyer me not. E ka marrë në motoskaf dhe më pas e ka pyetur se ku ndodhej vajza. 25 vjeçari i ka thënë se e ka nxjerrë në breg dhe ia ka dorëzuar xhaxhait të saj por pronari ka dyshuar dhe nuk e ka lënë të largohet duke i kërkuar që ta çojë deri tek vendi ku pretendonte se kishte lënë vajzën.

Nga zona e Vilunit pronari dhe Indrit Bajraktari kanë ecur në këmbë deri në qendër të plazhit për rreth 20 minuta ndërsa pronari ka këmbëngulur duke e pyetur disa herë se ku ndodhej vajza. Në një moment Indrit Bajraktari është futur për të blerë një shishe uji në market dhe aty ka tentuar që të largohet me motorrin e tij me të cilin kishte ardhur deri në Velipojë.

Pronari i motoskafit nuk e ka lejuar ndërsa ka lajmëruar edhe disa shokë për ta ndihmuar. Më pas kanë lajmëruar policinë duke bërë kështu ndalimin e 25 vjeçarit.

Gjatë kësaj kohe kur po ecnin drejt qendrës një peshkatar ka konstatuar trupin e pajetë të vajzës 800 metër larg bregut dhe ka lajmëruar policinë. Efektivët kanë mbërritur në vendngjarje dhe më pas është bërë lidhja e vajzës që kishte humbur jetën me Indrit Bajraktarin.

Vajza ndodhej me familjen e saj për pushime në Velipojë dhe i ka thënë nënës së saj se po dal për të pirë një kafe me një shok. Ndërsa 25 vjeçari kishte ardhur i vetëm me një motorr nga fshati Kullaj për të takuar 17 vjeçaren me të cilën ishin njohur në rrjetet sociale.

Policia ka sekuestruar motoskafin dhe çelësin e motoskafit që gjendej në qafën e Enisa Dodës ndërsa vijojnë hetimet për këtë ngjarje të rëndë.

Artikulli paraprakTHE ECONOMIST: BALLKANI PO MBETET PA NJERËZ, POPULLSIA E SHQIPËRISË PRITET TË TKURRET ME 26% DERI NË 2050
Artikulli tjetërARDIAN DVORANI KËRKESË PËR T’U RIKTHYER NË KED