Sapo kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit dy avionë Hercules të ushtrisë rumune, me 52 specialistë për situata katastrofash natyrore. Po kështu në Rinas kanë mbërritur dy avion me ndihma nga Turqia dhe Zvicra.

Specialistët e ardhur nga Rumania janë të pajisur me pajisje kërkimi nën rrënoja ndërtesash që do të bëjnë të mundur nxjerrjen e personave të tjerë që mund te jenë gjallë në Durrës e në Thumanë.

Në pritje të këtyre skuadrave kanë qenë përfaqësues të lartë të shtetit ku së bashku me Ambasadorin rumun Pirplea u kanë shpjeguar specialistëve situatën e rënë dhe domosdoshmërinë e vijimit të kërkimeve gjatë natës nën rrënoja.

Në më pak se 18 orë mbërrijnë 192 personel i huaj, 27 qen gjurmues dhe 16 paleta me ndihma.

Tërmeti shkatërrues që goditi Shqipërinë mori vëmendjen dhe solidarizimin absolut të rajonit, Bashkimit Europian dhe SHBA.

Kryeministri Rama gjatë ditës bëri me dije se kishte marrë mbështetjen absolute te vendeve të BE, duke filluar nga Merkel e Macron, kupola e BE, Greqia, Turqia, Kosova, Mali i Zi etj.

Burimet zyrtare bëjnë me dije se deri në momentin që flasim (ora 19:30), në më pak se 18 orë, në mbështetje të institucioneve shqiptare nga miqte e huaj kanë mbërritur 192 personel i specializuar, 27 qen për identifikimin e të zhdukurve mes rrënojave dhe 16 paleta me ndihma.

Ndërkohë, puna për gjetjen e personave të zhdukur mes rrënojave vazhdon pa ndërprerje.

Artikulli paraprakRAMA: MIRËNJOHJE PËR HERONJTË SHQIPTARË E TË HUAJ QË PO SHPËTOJNË JETË, NATA MË E KEQE
Artikulli tjetërRAMA: MOMENT PËR T’U BËRË PAK MË TË MIRË DHE NJERËZOR