
Teksa sezoni turistik ka nisur dhe numri i pushuesve është në rritje të vazhdueshme, në plazhet e Lezhës, këtë vit ka më shumë hapësira publike për qytetarët.Përgjatë vijës bregdetare nga Rana e Hedhur deri në Tale, janë në total 268 parcela publike. Nga këto, 94,195 m² janë të lira, ku qytetarët mund të pushojnë pa pagesë, ndërsa 96,070 m² janë me shërbime të menaxhuara nga shoqëria “Lezha Invest”, e ngritur nga Bashkia e Lezhës.
Në çadrat e vendosura nga kjo shoqëri, çmimet variojnë nga 300 deri në 500 lekë të rinj, në varësi të zonës, ndërkohë që janë plotësuar edhe shërbimet e nevojshme për pushuesit.
Krahasuar me vitet e shkuara, ka një rritje të konsiderueshme të hapësirave publike, si në zonat me fluks të lartë pushuesish, ashtu edhe në ato më pak të frekuentuara.Pushuesit në bregdetin e Lezhës shprehen të kënaqur me menaxhimin e ri të plazheve, pasi çmimet janë të favorshme dhe shërbimet nuk mungojnë.
Menaxhimi i bregdetit gjatë këtij sezoni turistik në Lezhë po bëhet në bazë të vendimit të ri të Këshillit të Ministrave, ndërsa task-forca vazhdon çdo ditë monitorimin në terren, për të mos lejuar zaptimin e paligjshëm të plazheve nga privatët.