Deputeti grek, Tasos Hadjivassiliou ka vizituar Tiranën javën e kaluar dhe është takuar me disa nga krerët politikë të vendit tonë në një vizitë jo zyrtare.

Kështu shkruajnë mediat greke teksa vijojnë më tej se deputeti është takuar me kryedemokratin Lulzim Basha, kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhin si dhe sekretarin e përgjithshëm të PS-së Taulant Ballën.

Në artikujt e mediave greke shkruhet se vizita e tij ka pasur qëllim që të tejçonte mesazhet e qeverisë greke ndaj politikanëve shqiptarë në prag të zgjedhjeve. Kjo vizitë nuk është paralajmëruar nga Greqi por edhe nga ana e vetë politikanëve shqiptarë nuk ka pasur njoftime.

Sipas saj, Greqia mbështet integrimin e Shqipërisë, por me një kusht, respektimin e plotë të të drejtave të pakicës greke.

“Një vizitë në Tiranë, në cilësinë e sekretarit të marrëdhënieve ndërkombëtare të partisë Demokracia e re, u bë javën e kaluar nga deputeti Tasos Hadjivassiliou. Vizita nuk u njoftua në Greqi, duke i dhënë asaj karakterin e një “misioni special”, por gjeti shumë hapësirë në mediat shqiptare.

Qëllimi i udhëtimit të deputetit 40-vjeçar ishte të takohej, në prag të zgjedhjeve shqiptare, me përfaqësuesit e partive kryesore dhe të përçonte mesazhet në emër të qeverisë greke.

Greqia mbështet integrimin e Shqipërisë, por me një kusht: respektimi i plotë i të drejtave të pakicës greke. Deputeti u takua me kandidatin për kryeministër dhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sekretarin e përgjithshëm të PS-së, Taulant Balla dhe kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila në fakt është gruaja e Presidentit Ilir Meta.

Takimet u zhvilluan në një atmosferë shumë të mirë. Hadjivassiliou gjithashtu u takua me Kryepeshkopin Anastas dhe anëtarët e komunitetit grek, të cilët do të jenë kandidatë në zgjedhje” mbyllet shkrimi.