Mbi 717 të vdekur dhe mbi 800 të plagosur është bilanci tragjik i pelegrinazhit të haxhit në afërsi të qytetit të shenjtë të Mekës në Arabinë Saudite.

Ngjarja ka ndodhur në Mina, rreth 5 km nga Meka, ku 2 milionë besimtarë po kryenin ritin e fundit të madh të haxhit. Aksidenti i rëndë ndodhi teksa miliona njerëz po hidhnin gurë në shtyllat që përfaqësojnë djallin.
Drejtoria e Mbrojtjes Civile njoftoi se ne vendin e ngjarjes është dërguar një personel ndihme prej 4 mijë personash bashkë me 220 të tjerë pjesë e ekipeve të  emergjencës dhe shpëtimit. Të plagosurit janë dërguar në katër spitalet e zonës. Nuk është ende e qartë se çfarë shkaktoi këtë kaos tragjik, por ajo që dihet është se ngjarje të tilla ndodhin shpesh në këtë festë të besimtarëve myslimanë. Më e fundit është ajo e ndodhur në xhaminë më të madhe të Mekës këtë muaj, ku një vinç u rrëzua duke lënë të vdekur 109 persona. Në vitin 2006, 364 vetë u vranë gjatë ritualit të gurëve. Që prej asaj kohe autoritetet saudite kanë punuar në përmirësimin e transportit dhe infrastrukturën për të parandaluar incidente të tilla. Për myslimanët, Haxhi është shtylla e pestë dhe e fundit e Islamit. Është një udhëtim të cilin duhet ta kryejë cdo mysliman i rritur dhe i aftë për ta përballuar një herë në jetë.

KRIZA E EMIGRANTEVE, BE OFRON 1 MILIARDE EURO

Pas shtatë orësh diskutime dhe debate, në orët e para të së enjtes, udhëheqësit e BE-se ranë dakord në Bruksel që të ofrojnë të paktën 1 miliard euro për fqinjët e Sirisë dhe Kombet e Bashkuara, në mënyrë që të mbajnë nën kontroll krizën e rëndë të refugjatëve që ka përfshirë bllokun europian. Gjithashtu Unioni do të sigurojë fonde për Agjencinë e Refugjatëve të OKB dhe Programin Botëror të Ushqimit.

Me prioritet të lartë është edhe ngritja e qendrave të ndalimit në kufijtë e Greqisë dhe Italisë, të cilat sipas asaj që u diskutua në samit, do të ndërtohen brenda këtyre muajve.

Në përfundim të samitit, liderët europianë u pajtuan gjithashtu për ngritjen e të ashtuquajturave hotspote, ose qendra regjistrimi, në të cilat do të bëhet e mundur identifikimi i të gjithe atyre që fitojnë të drejtën e azilit dhe e kundërta. Filtrimi i emigrantëve në këto qendra ka për qëllim që të eliminojë fenomenin e azilit ekonomik, ose përjashtimin nga e gjithë atyre që nuk vijnë vendet e konfliktit.

BE gjithashtu do të thellojë bashkëpunimin me Libanin, Jordaninë dhe Turqinë, vende te cilat përballen me fluks të madh të emigrantëve nga Siria.