
Pas prezantimit të planit të ri të menaxhimit të mbetjeve, Bashkia Lezhë ka nisur takimet informuese mbi mënyrat e zbatimit dhe risitë e këtij shërbimi, i cili nga muaji qershor do të kalojë në administrimin e drejtpërdrejtë të pushtetit vendor. Ndalesa e parë ishte me përfaqësuesit e bizneseve, ku kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, kërkoi mirëkuptim dhe bashkëpunim për të garantuar një mjedis të pastër, duke theksuar se suksesi i kësaj nisme varet edhe nga angazhimi i vetë bizneseve.Ndreu solli si shembull zonën e Shëngjinit gjatë sezonit veror, ku fillimisht menaxhimi i mbetjeve u konsiderua i vështirë, por falë bashkëpunimit të bizneseve, skema u vlerësua pozitivisht dhe pati një impakt të dukshëm në rritjen e pastërtisë së zonës.
Plani i ri i menaxhimit të mbetjeve parashikon që për bizneset, përveç respektimit të orareve të përcaktuara, të ketë edhe ndarje sipas tipologjisë dhe madhësisë së aktivitetit. Gjithashtu, nuk do të lejohet hedhja e materialeve inerte apo mbetjeve të tjera jashtë kategorive të përcaktuara, ndërsa Bashkia e Lezhës ka paralajmëruar masa administrative për shkelësit e rregullave, të cilët do të përballen edhe me procedura ligjore dhe kallëzime për krime mjedisore






