
Tregtarët e markatës së mishit të tregut të Rusit janë takuar me kryetaren e bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, pasditen e së premtes, pas mbylljes që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i bëri të gjitha dyqanave dy ditë më parë.
Gjatë këtij takimi, kryetarja Ademi ka kërkuar listën e plotë të të gjithë tregtarëve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë markatë, në mënyrë që të lidhen kontratat rregullta me bashkinë, si pronare legjitime e tregut. Ndërkohë, është rënë dakord që në vazhdim, markata e mishit do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, në mënyrë që të plotësohen të gjitha kushtet higjenike për tregtimin e produkteve të mishit.
Përpara kësaj ndërhyrjeje për rikonstruksionin, nuk do të lejohet asnjë aktivitet tregtar në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e konsumatorit shkodran. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mbylli këtë të enjte markatën e mishit, pa një paralajmërim për tregtarët. Këta të fundit, për Star Plus deklaruan se nëse kjo situatë nuk do të zgjidhej, do t’i drejtoheshin grevës së urisë, si formën përfundimtare.






