Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, kanë shprehur rëndësinë e aleancës së NATO-s për sigurinë globale, gjatë bisedës së tyre të parë telefonike, prej inaugurimit të zotit Trump.

Sipas kumtesës së mbrëmshme të Shtëpisë së Bardhë, të dy liderët “janë pajtuar për rëndësinë fundamentale të NATO-s për marrëdhëniet më të gjëra transatlantike dhe për rolin e saj në sigurimin e paqes dhe stabilitetit të komunitetit tonë të Atlantikut Verior”. Më herët, Trump i kishte brengosur disa aleatë evropianë duke e kritikuar NATO-n, të cilën një një pikë e ka quajtur “të vjetëruar” për shkak se nuk ka bërë sa duhet në luftimin e terrorizmit dhe duke thënë se shumë anëtarë nuk i kanë kryer obligimet e tyre financiare ndaj aleancës. Donald Trump dhe Angela Merkel, po ashtu, kanë diskutuar për “nevojën për forcimin e bashkëpunimit tashmë të fuqishëm në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe për të punuar në stabilizimin e hapësirave të konflikteve në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore”. Në deklaratën e përbashkët theksohet se është diskutuar edhe për Rusinë dhe Ukrainën, por nuk janë dhënë detaje. Një zëdhënës i kancelares Merkel tha se Trump e ka pranuar ftesën e kancelares për të marrë pjesë në samitin G-20 në Hamburg të Gjermanisë, në muajin korrik.

Artikulli paraprakREFUGJATËVE QË NUK U LEJOHET HYRJA NË SHBA TË VIJNË NË KANADA
Artikulli tjetërKAOSI, ADEMI: BËJMË GJITHË ZONËN PEDONALE