Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të rikandidojë për një mandat të katërt në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen gjatë vitit 2017.

Është ky lajmi që vjen nga zyrtari i Unionit Kristian Demokrat, Norbert Rotgen, i cili gjatë një interviste për CNN u shpreh se kancelarja është e vendosur për të garuar sërish. Përfaqësuesi i CDU-së, tha gjithashtu se Merkel do të kërkojë që të forcojë pozitën e shteteve perëndimore si një faktor thelbësor për stabilitetin në mbarë botën.

“Merkel do të garojë për postin e Kancelares dhe është absolutisht e vendosur, gati dhe me vullnetin për të kontribuar në forcimin e rendit liberal ndërkombëtar. Megjithatë, më lejoni të sqaroj dicka; Nëse flasim për arenën ndërkombëtare, nuk duhet t’a shohim kancelaren ose Gjermaninë si shpresën e vetme. Ky rend mund të ruhet vetëm përmes bashkëpunimit dhe mbështetjes së NATO”, ishin fjalët e zyrtarit të CDU-së. Kjo është hera e parë që një përfaqësues i kësaj force politike prononcohet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare sa i përket mundësisë së rikandidimit nga ana e kancelares Merkel. Shefja e ekzekutivit e ka mbajtur këtë detyrë prej 11 vitesh, që kur u zgjodh për herë të parë në vitin 2005.

Ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve të ardhshme, por legjislacioni gjerman parashikon se procesi duhet të ndodhë në një ditë të dielë që është nga 46 deri në 48 muaj pas mbledhjes së parë të asamblesë. Duke qënë se Bundestagu i kësaj legjislature u mblodh për herë të parë më datë 22 tetor të vitit 2013, ligjvënësit duhet të caktojnë një datë midis 27 gushtit dhe 22 tetorit të vitit të ardhshëm.