Kreu i PD, Lulzim Basha i ftuar në një emisionin televiziv ka deklaruar se familja shqiptare zë vend kryesor në programin elektoral.

Basha thotë se familja për të është e pazëvendësueshme, forca dhe frymëzimi i tij.

Për të familja është shtyllë e shoqërisë dhe ajo është motivi i planit dhe programit të PD të shpalosur muajt e fundit për shqiptarët .

Gazetarja: Zoti Basha jemi drejt fundit të intervistës dhe unë dua të ndalem në dy momente paksa më private, më personale që e shoqëron gjatë gjithë kohës librin. Rëndësia më e veçantë, shtylla më e fortë që përshkruani ju në të gjithë rrugëtimin tuaj. Dhe ndalemi pak pse jo dhe tek bashkëshortja juaj Aurela, të cilën e përshkruani njohjen me të që në gjimnaz, më pas studimet bashkë në Holandë dhe gjithë rrugëtimin tuaj që keni?

Lulzim Basha: Janë dy pyetje të ndryshme. Koha që i kushtoj është fatkeqësisht shumë e pakët dhe është një nga pengjet më të mëdha të mijat dhe besoj të shumicës të atyre që kanë një angazhim publik dhe politik ndërsa roli i familjes për mua është i pazëvendësueshëm, është forca ime, është frymëzimi im, është dhe besoj në këtë kuptim nuk jam i ndryshëm nga shumica absolute e shqiptarëve të cilët e kanë familjen të shenjtë, me ta ndajnë gëzimet, aty gjejmë forcën në momente të vështira, aty gjejmë motivimin, aty gjejmë frymëzimin dhe kjo është arsyeja kryesore pse në programin tonë familja dhe mirëqenia e familjes shqiptare zë vendin kryesor, familja si shtyllë e shoqërisë doja të thoja është dhe ai motivi i planit dhe i programit që kemi shpalosur në këto muaj para shqiptarëve duke e nisur…

Më tej ai e ka pranuar se merr ndonjëherë kritika nga familjarët e vet.

Gjithsesi ai nuk e mohon që familja për të është mbështetje e jashtëzakonshme, burim force e frymëzimi.

Sipas Bashës, objektivi kryesor i programit është ndërtimi i një familje të fortë shqiptare, për t’i kthyer asaj dinjitetin dhe mundësinë për punësim e jetë normale.

Pyetja: Kritika merrni nga familjarët?

Lulzim Basha: Pa diskutim që po. Shiko jeta profesionale dhe jeta politike dhe jeta private në shumë aspekte ndërthuren dhe shumë aspekte mbeten të veçanta. Vetë ritmi i jetës time politike është i tillë që është pothuajse i pamundur për tu ndjekur në përditshmërinë e tij si ritëm nga familjarët por qoftë familja ime, bashkëshortja, vajzat, qoftë familja e vjetër, prindërit, rrethi i gjerë familjarë ka qenë dhe janë një mbështetje e jashtëzakonshme dhe një burim i madh force dhe frymëzimi për mua. Dua ta përsëris që, nuk besoj se jam përjashtim këtu, besoj që shumica e shqiptarëve kanë privilegjin të mbështeten fort tek familja, tek anëtarët e familjes ndaj edhe fokusi dhe objektivi kryesor i plani tonë është të ndërtojmë një familje të fortë shqiptare në kuptimin e zhvillimit ekonomik, në kuptimin e vendeve të punës, në kuptimin e mbështetje të fëmijëve e dhënies fund të zvogëlimit të tkurrjes së Shqipërisë. Ju e dini ne kemi një plan i cili nxit krijimin e familjeve të reja duke i dalë përpara disa prej sfidave kryesore siç janë kosto e një fëmije të porsalindur apo kosto e arsimimit të fëmijëve apo kosto e një banese të re por po kështu edhe kujdesi për prindërit për ata që kanë shkrirë jetën e tyre në kohë shumë të vështira për të na bërë këta që jemi sot. Prandaj familja është në fokus qoftë në kuptimin, forca ime është, frymëzimi im, por është edhe frymëzimi im në kuptimin familja shqiptare dhe si dua ta shoh familjen shqiptare nesër në një Shqipëri ndryshe, në një Shqipëri me oportunitete, me një Shqipëri të zhvilluar, me një Shqipëri që i kthen familjeve shqiptare dinjitetin dhe mundësinë për punësim dhe për një jetë normale për mirëqenie dhe për dinjitet.