Në një punishte të vogël në qytetin e Lezhës, mes penjve shumëngjyrësh dhe grepave, 31-vjeçari Anton Tate i përkushtohet një pasioni të veçantë. Ai merret me punë dore, një zanat që në vendin tonë zakonisht praktikohet nga gratë.
Me profesion, Antoni është kuzhinier, ndërsa punimet me dorë i ka pasion që në vegjëli. Ai tregon se prej një viti është përkushtuar më së shumti.
Edhe pse kërkon shumë durim, përkushtim dhe kohë, Antoni thotë se puna me grep i jep kënaqësi të veçantë, sidomos kur sheh punimet e përfunduara që realizon me duart e tij.
31-vjeçari synon që këtë aktivitet ta kthejë edhe në një mundësi biznesi. Në këtë rrugë ai po mbështetet edhe nga mjeshtrja e njohur e artizanatit në Lezhë, Tereze Gega.
Artizania Tereze Gega thotë se Antoni është ndër të rrallët burra në vendin tonë që merret me punë dore, ndërsa vlerëson përkushtimin dhe dëshirën e tij për të mësuar më shumë rreth artizanatit, përfshirë edhe tezgjahun.
Me durim dhe përkushtim, Antoni po i jep jetë një tradite të vjetër artizanale. Ndërsa pasioni për punën me grep mbetet motivimi i tij më i madh për të vazhduar përpara.

Artikulli paraprakRRUGA “BAJA E VOGËL” E LËNË NË HARRESË
Artikulli tjetërVENDIMI/ HYN NË FUQI BORDI I TRANSPARENCËS PËR NAFTËN, PRITET TË MBLIDHET KËTË JAVË PËR TË CAKTUAR ÇMIMET TAVAN