Teksa bota hyn në vitin 2026 mes konflikteve, krizave humanitare dhe pasigurive globale, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ka përcjellë një mesazh të fuqishëm për Vitin e Ri, duke u kërkuar liderëve botërorë të “vendosin prioritetet e duhura” dhe të zgjedhin paqen mbi luftën. Bota ndodhet në një udhëkryq, tha Guterres, duke theksuar se konflikti, ndryshimet klimatike dhe shkeljet e së drejtës ndërkombëtare po e minojnë besimin e njerëzve tek udhëheqja globale.

Ai kujtoi se më shumë se një e katërta e njerëzimit jeton sot në zona konflikti, mbi 200 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare dhe rreth 120 milionë janë zhvendosur me forcë. Në mesazhin e tij, Guterres kritikoi ashpër rritjen e shpenzimeve ushtarake, të cilat kanë arritur në 2.7 trilionë dollarë, gati 10 për qind më shumë se një vit më parë një shumë 13 herë më e lartë se ndihma globale për zhvillim dhe e barabartë me të gjithë prodhimin ekonomik të Afrikës. Megjithatë, ai theksoi se shpresa ekziston. Sipas raportit të OKB-së, vetëm 4 për qind e shpenzimeve ushtarake do të mjaftonin për t’i dhënë fund urisë në botë, ndërsa 10 për qind do të vaksinonim çdo fëmijë dhe 15 për qind do të mbulonin nevojat kryesore për përballjen me ndryshimet klimatike.

“Në këtë Vit të Ri, le të vendosim t’i sqarojmë prioritetet tona. Një botë më e sigurt fillon duke investuar më shumë në luftimin e varfërisë dhe më pak në luftëra. Paqja duhet të mbizotërojë.”

Në përfundim, Guterres u bëri thirrje si udhëheqësve, ashtu edhe qytetarëve të botës: Merreni seriozisht. Zgjidhni njerëzit dhe planetin mbi dhimbjen. Le të ngrihemi së bashku për drejtësi, për njerëzimin, për paqen.

Artikulli paraprakAKSIDENT I TREFISHTË, PËRPLASEN 3 AUTOMJETE
Artikulli tjetërPUNONJËSIT E POLICISË SHPËRBLEHEN ME 30 MIJË LEKË (VENDIMI)