Me rastin e Vitit mbarëkombëtar kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes, ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë i kanë drejtuar gjithë shqiptarëve një mesazh, me anë të të cilit falenderojnë Zotin që, falë burrave dhe atdhedashësve si Skënderbeu, trojet shqiptare gëzojnë lirinë e banorët e tyre kanë një atdhe.

Gjithashtu, ata shtrojnë një sërë pyetjesh për të sotmen: “A ndjehemi vërtetë të lirë, pas 27 vjetësh nga rënia e komunizmit? Çfarë na shtyp akoma? Cilat janë frikërat tona? Pse kaq vonesa për të hyrë në Bashkimin Europian, një ëndërr që na shoqëron gjithmonë? Pse nuk e duam Atdheun tonë si Etërit tanë që vdiqën për të, por ne duam të ikim prej tij? Kush janë armiqtë tanë sot kundër të cilëve duam të luftojmë e t’i mundim së bashku: varfëria, zhvillimi i pabarabartë i shoqërisë tonë, korrupsioni, analfabetizmi, etj.?

Kemi nevojë për një hov të fortë “ndershmërie” dhe “meritokracie” nga ana e të gjithëve për të mirën e kombit tonë”.