
Në Bazilikën e “Nanës së Këshillit të Mirë” u kremtua mesha e shenjtë për festën e Zojës së Papërlyer, një nga festimet më të rëndësishme të besimit katolik. Ceremonia u udhëhoq nga imzot Ionut Paul Strejac, i deleguari me punë i Vatikanit, i cili në homelinë e tij theksoi se Maria është ura që ka lejuar ardhjen e Zotit ndër njerëz dhe lidhja e përhershme mes nesh dhe Krijuesit.
Në këtë ditë të veçantë, rektori i bazilikës, dom Artur Jaku, ndau edhe një mesazh për 8 dhjetorin, Ditën e Rinisë, duke rikthyer vëmendjen te rëndësia e asaj lëvizjeje studentore që 35 vite më parë hapi një kapitull të ri për vendin.
Pas përfundimit të Meshës, u zhvillua bekimi tradicional i Betlehemit, me vendosjen në qendër të figurës së Lindjes së Krishtit, simbol i dritës dhe i fillimit të ri. Festimet vijuan me ndezjen e dritave të pemës së Krishtlindjes, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë e festive. Programi kulturor i përgatitur nga të rinjtë e bazilikës i dha ngjarjes një dimension të veçantë shpirtëror dhe komunitar, në prag të festave të fundvitit.


