
Në Katedralen e Shkodrës u kremtua Mesha e Shenjtë me rastin e 10-vjetorit të Lumnimit të 38 Martirëve të Kishës Katolike Shqiptare, një ngjarje historike për besimin katolik në Shqipëri. Lumnimi i tyre, dhjetë vite më parë, shënoi një moment të rëndësishëm për Kishën Katolike Shqiptare, duke rikthyer në vëmendje sakrificën e atyre që vuajtën për shkak të besimit gjatë regjimit komunist. Mesha e shenjtë u kremtua nga Imzot Dodë Gjergji.
Pas meshës, besimtarët vijuan në procesion me banderolat e Martirëve drejt varrezave të Rrmajit, në vendin ku 36 vite më parë Dom Simon Jubani kremtoi meshën e parë publike pas rënies së regjimit komunist. Përmes lutjeve dhe përkujtimit, besimtarët nderuan kujtimin e Martirëve, të cilët dëshmuan besimin e tyre me jetën, duke lënë një trashëgimi të qëndresës dhe besnikërisë ndaj Krishtit dhe Kishës.


