Presidenti i Republikës Ilir Meta në kuadër të 75-vjetorit të Çlirimit ka nderuar me dekoratë Organizatën e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Kreu i shtetit thotë se gjaku për Çlirimin e Atdheut nuk mund të bëhet ujë.

“Kam kënaqësinë të ndaj me ju vendimin tim për të nderuar, në kuadër të 75-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, Organizatën e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. Gjaku për Çlirimin e Atdheut nuk mund të bëhet ujë!” shkruan Meta.

Ndërkohë që mbrëmë pas thirrjeve patriotike Meta mbylli konferencën me një gjest të pazakontë. Teksa po bënte gati të largohej, përpara se të bënte shqiponjën Meta nderoi para kamerave me përshëndetjen fashiste të Benito Musolinit.

Ditët e fundit kreu i shtetit është kthyer në kryefjalë me deklaratat e forta dhe sulmet kundër ambasadorëve të huaj duke i cilësuar si palaço dhe të korruptuar që mbrojnë Edi Ramën. Departamenti i Shtetit reagoi duke thënë se është duke e vëzhguar situatën, ndërsa BE-ja i cilësoi sulmet si të papranueshme.