Pas shkarkimit të pritshëm në seancën e 9 qershorit 2021, Presidenti Ilir Meta mund të përballet me SPAK për dy vepra të rënda penale, thirrjet publike për veprime të dhunshme dhe thirrje për urrejtje nacionale. Në internet qarkullon raporti prej 100 faqesh të komisionit hetimor parlamentar, në të cilin propozohet jo vetëm shkarkimi i Ilir Metës nga posti i Presidentit, por kërkohet angazhimi i organeve hetimore për të nisur hetimet kryesisht ndaj Presidentit për nxirrje të dhunës dhe urrejtjes para dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Në raport reflektohen thirrjet e Metës për dhunë, roli i tij në përplasjen mes Bashkisë së Tiranës dhe FRD-së, mbrojtja nga ana e tij e strukturës paramilitare të PD pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, duke analizuar qëndrimet e Metës në 19 emisione televizive, 9 deklarata për mediet, 45 postime në rrjetet sociale si dhe disa shkresa që u ka drejtuar institucioneve të pavarura në mënyrë të përsëritur. Sipas raportit, nga aktet që janë marrë në shqyrtim nga Komisioni, rezulton se në shumë nga daljet e veta publike, Meta ka zgjedhur të përdorë një retorikë dhune, duke promovuar dhunën  si mjet për zgjidhjen e problemeve përkundrejt mjeteve që ofron shteti i së drejtës.

“Kjo retorikë dhune, e justifikuar në mbrojtje të votës nga vjedhja, ka pasur përshkallëzim të fortë deri në fund të fushatës. “Nëse një votë vidhet, do u pritet dora në sheshin Skënderbe, Kryemadhit të parit dhe të tjerat”, deklaronte Presidenti më datë 1 mars 2021, duke u ofruar shqiptarëve “drejtësinë” e Mesopotamisë së lashtë, në vend të shtetit ligjor. Më 19 prill 2021 Presidenti lëshoi thirrjen: “Gjejini (patronazhistët)! Izolojini! Mos i toleroni!…Ngrehuni dhe bjeruni, korrini dhe shtypini, katundar e punëtorë, që nga Shkodra gjer në Vlorë!”.  Në raport theksohet se thirrjet e Metës për dhunë kanë shqetësuar edhe përfaqësuesit e shteteve të huaja në vend, duke sjellë në vëmendje disa reagime të ambasadores amerikane Yuri Kim. Raporti i komisionit hetimor, analizon rolin e Metës në ngjarjen e Elbasanit, ku u vra Pjerin Xhuvani, nga një paramilitarë i PD-së. Raporti i komisionit hetimor për shkarkimin e Metës pritet të miratohet në seancën plenare të 9 qershorit 2021. Më pas vëmendja do të zhvendoset tek Gjykata Kushtetuese, e cila do të vendosë përfundimisht për shkarkimin ose jo të kreut të shtetit.