Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka kërkuar ndihmë kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, për të sjellë në Shqipëri forca xheniere dhe ekipe emergjence, për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat dhe godinat e shembura.

Kryeministri ende në detyrë, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, thotë se pas bisedës telefonike që ka pasur me Metën, ka shprehur solidaritetin dhe gatishmërinë e popullit të Kosovës për të ofruar tërë ndihmën e nevojshme për të përballuar këtë situatë të rëndë në Shqipëri.

Po ashtu, Haradinaj thotë se ka kërkuar nga Gjenerali Rrahman Rama, Drejtori i Policisë Rashit Qalaj, që të mobilizojnë të gjitha njësitet emergjente për t’i dalë në ndihmë shtetit dhe qytetarëve të Shqipërisë me të gjitha kapacitetet e nevojshme.

Tërmeti prej 6.4 ballë goditi Shqipërinë mëngjesin e ditës e sotme, me epiqendër 16 km nga Shijaku, duke shkaktuar viktima dhe shumë të plagosur.