Meta: Kosova të nënshkruajë demarkacionin me Malin e Zi

Tirana zyrtare mbështet nënshkrimin e marrëveshjes së demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Ka qenë ky mesazhi i përcjellë nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili ka pritur këtë të hënë në një takim homologun kosovar, Kadri Veseli. “Shprehim mbështetjen e plotë dhe pa ekuivok për nënshkrimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, për të arritur liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe kalimin e një stanjacioni politik”, ka thënë Meta.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Meta ka shprehur mbështetjen edhe sa i takon vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi. “Jemi të bindur se dialogu me Serbinë duhet patjetër të mbështetet nga të gjithë, pasi është i domosdoshëm për të forcuar më tej stabilitetin dhe sigurinë për rajonin tonë”, ka vijuar Meta. Më tej, kreu i Kuvendit ka shprehur keqardhjen për “ndalimin e papranueshëm” të Ramush Haradinajt në Francë, “që dëshmon mungesën e vullnetit nga lidershipi i Serbisë për të normalizuar marrëdhëniet”, ka thënë Meta. Nga ana e tij, Veseli ka deklaruar se, Prishtina zyrtare do të vazhdojë angazhimin e saj për çështjen e Demarkacionit, si dhe ka shprehur besimin se edhe Haradinaj do të jetë së shpejti i lirë.