
Ish-presidenti dhe kreu i PL-së, Ilir Meta, ka publikuar nga burgu një reagim të gjatë, ku sjell versionin e tij për ngjarjet e 21 Janarit 2011, duke i cilësuar ato si të parapërgatitura dhe jo si reagim spontan ndaj videos së publikuar më 11 janar të atij viti. Në videon në fjalë që solli dhe reagimet dhe protestën e dhunshme, shfaqej Meta dhe Dritan Prifti ku flisnin për shifrën e majme prej 700 mijë euro. Në deklaratën e tij, Meta shprehet se heshtja e njerëzve me integritet ndihmon, sipas tij, “falsifikatorët e historisë” dhe akuzon ish-drejtues institucionesh, politikanë dhe analistë për përhapje gënjeshtrash dhe standarde të dyfishta morale. Sipas Metës, protesta e 21 Janarit nuk ishte pasojë e menjëhershme e publikimit të videos, por ishte planifikuar muaj më parë. Ai pretendon se kishte informacion paraprak për përgatitjen e një “revolte të dhunshme”, përfshirë rekrutimin e elementëve kriminalë për përplasje me policinë.
Meta rikujton se pas publikimit të videos, më 12 janar 2011, hoqi dorë nga imuniteti parlamentar dhe ftoi Prokurorinë të hetonte çështjen. Ai thekson se më pas dha dorëheqjen e parevokueshme nga postet e zv/kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, një javë para protestës së 21 Janarit, për të mos qenë në detyrë në rast përshkallëzimi të situatës. Në deklaratë, Meta rrëfen edhe episodet e shantazhit që pretendon se ka përjetuar nga ish-zyrtarë dhe ndërmjetës, përfshirë oferta politike që ai thotë se i ka refuzuar kategorikisht. Ai pohon se ka informuar në kohë kryeministrin e atëhershëm Sali Berisha për këto zhvillime. Duke iu referuar dhunës së 21 Janarit, Meta deklaron se protestuesit socialistë, sipas tij, nuk ishin ata që sulmuan Kryeministrinë, por persona të rekrutuar, të cilët për orë të tëra u përplasën me forcat e rendit, derisa situata përfundoi në përdorimin e armëve nga Garda e Republikës. Ai kritikon ashpër institucionet ligjzbatuese për mosparandalimin e dhunës, pavarësisht paralajmërimeve, dhe Prokurorinë për mënyrën si u trajtua hetimi i videos, duke pretenduar se ekspertizat ishin të gabuara dhe të njëanshme.
Meta kujton gjithashtu se Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm me vendim unanim 5–0 dhe se, sipas tij, edhe relatori i çështjes votoi në favor të pafajësisë, pavarësisht presioneve politike. Në përfundim, Meta e cilëson videon e publikuar në janar 2011 si një montazh të përdorur si “alibi politike” dhe thotë se katër qytetarë të pafajshëm “e paguan me jetën e tyre” përdorimin politik të saj.






