Presidenti i Republikës Ilir Meta, në një video-konferencë, që u mbajt në lidhje me fenomenin e shpopullimit, tha se gjendja paraqitet problematike në vendin tonë, pasi sipas tij po kërcënohet perspektiva kombëtare.

“Të gjithë kemi një shqetësim të përbashkët, që vendi ynë, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, nuk vuan një emigrim problematik në nivele të pranueshme, por po përjeton një erozion demografik, referuar statistikave bindëse. Në këtë drejtim theksoj rëndësinë e disa problemeve të cilat edhe ju i përmendet më parë.

Kjo situatë ka bëjë me kërcënimin e perspektivës sonë kombëtare. Fakti që kemi disa tregues që ecin në mënyrë negative, lidhet me fenomenin shqetësues të një mungese besimi në vend. E theksoj si më të rëndësishme për t’u ndalur është intensifikimi shqetësues i largimit të trurit, veçanërisht të 94% të studentëve që janë jashtë dhe nuk duan të kthehen në Shqipëri”, tha Meta.

Kreu i Shtetit vlerësoi se Shqipëria për fat të keq, paraqitet sot si vendi me problematikat më të mëdha në Ballkanin Perëndimor, në aspektin ekonomik, social dhe të migrimit.

“Edhe lindshmëria ka rënë shumë në Shqipëri. Edhe ky është një problem i madh për vendin. Pasiguria ekonomike dhe sociale është shtuar. Është intensifikuar fenomeni i emigrimit të ikjes së trurit. Shqipëria është ndër vendet e para në botë për emigrimin. Të dhënat janë pesimiste për të ardhmen.

Studentët që janë jashtë nuk duan të kthehen në vend. Aq më tepër, studentë të fushave të shëndetit duan të ikin nga vendi. Po largohen profesionistë në fusha serioze. Jemi vendi më problematik në Ballkanin Perëndimor, edhe për emigriminm, edhe për ekonominë etj. Është shtuar varfëria në vend”, u shpreh Meta.

Në fund Meta bëri apel duke thënë që të bëhet çdo gjë për të përmbysur të gjithë këtë atmosferë pasigurie.

“Ne duhet të ndalojmë dhe stopojmë këtë shpopullim të vendit në mënyrë që të rrisim mundësinë e arsimit për të rinjtë tanë. Të bëjmë çdo gjë për të përmbysur të gjithë këtë atmosferë pasigurie që nga raporti me biznesin me pronën dhe me zbatimin e ligjit.

Që nga administrata e deri në fushën e prokurimeve. Nuk duhet të harrojmë se në rast se për 200 banorë nga seria largohet 1 ose 2, nga Shqipëria 12. Eficenca e investimeve publike dhe e përdorimit të parave publike është tepër e dyshimtë, larg llogaridhënies”, shtoi ai.