Presidenti i Republikës vlerësoi sot me Titullin “Mjeshtër i Madh” aktorin e shquar Kastriot Çaushi, i cili ka portretizuar në filmin shqiptar, veç shumë e shumë personazhesh të tjerë historikë, edhe Heroin e Popullit Vasil Laçi, “Për kontributin e shquar në artin skenik dhe në kinematografinë shqiptare, si dhe për edukimin artistik të shumë brezave artistësh të rinj.

I dalluar për nivelin e lartë të interpretimit me profesionalizëm në saje të talentit të tij të veçantë e të spikatur, në krijimin e personazheve të arritur artistikisht dhe të paharruar për publikun shqiptar”.

Në ceremoninë solemne të organizuar në Institucionin e Presidentit të Republikës, Kreu i Shtetit theksoi se:

“Kam nderin të dekoroj me titullin Mjeshtër i Madh, një personalitet të shquar të kinematografisë shqiptare, Profesor Kastriot Çaushi, ai i cili e portretizoi më së miri figurën e Vasil Laçit, këtij Heroi të Popullit, në filmin ‘Plumba Perandorit’ të regjisorit të shquar Mevlan Shanaj.

‘Më jepni një krehër’ mbetet një nga momentet më ikonike të kinematografisë shqiptare, por edhe më prekëse për publikun shqiptar. Sikurse edhe shumë interpretime të tjera të tij në filmat ‘Apasionata,’ ‘Shirat e Vjeshtës’, ‘Nusja dhe Shtetrrehtimi, ‘Liri a Vdekje’ ‘Qortimet e Vjeshtës’ e shumë filma të tjerë të cilët në Shqipërinë e viteve 80-të frymëzuan brezat e asaj kohe mbi artin e vërtetë, dhe shërbyen si shtysë për shumë të rinj e të reja të ndiqnin rrugën e aktrimit apo artit skenik.

Profesor Kastriot Çaushi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në artin, kinematografinë dhe dramaturgjinë shqiptare.

Në repertorin e tij të pasur shquhen edhe interpretimet teatrale në Teatrin Skampa, Teatrin Kombëtar, dhe Teatrin e Akademisë së Arteve, me role të rëndësishme, përfshirë edhe ato shekspiriane, si në kryeveprat ‘Romeo dhe Zhulieta’ dhe ‘Rikardi i Tretë’.

Profesor Çaushi është i njohur nga publiku shqiptar edhe si prezantues artistik, bashkautor librash mbi aktrimin, dhe prej shumë dekadash ka kontribuar në kultivimin e aktorëve të rinj si pedagog në Akademinë e Arteve, Dekan në Fakultetin e Artit Skenik dhe Rektor në Universitetin e Arteve, një institucion i arsimit të lartë të cilin ai e ka drejtuar me shumë sukses dhe profesionalizëm.”

Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoni, Presidenti Meta u shpreh: “Krijimi i një marrëdhënie të ngushtë me audiencën është zemra e aktrimit.

Kastriot Çaushi ka prekur ndër vite zemrat e shqiptarëve përmes roleve të tij të mrekullueshme, të cilat jo vetëm kanë treguar një mjeshtëri të madhe artistike por kanë transmetuar edhe mesazhe vlerash shoqërore, patriotizmi dhe virtytesh njerëzore, duke krijuar një marrëdhënie të ngushtë me audiencën e disa brezave dhe duke e bërë atë një prej aktorëve më të dashur dhe më popullorë për shqiptarët.

Kinematografia dhe teatri shqiptar kanë nxjerrë ndër vite aktorë të shquar të cilët ia kushtuan jetën tyre artit dhe publikut.

Ne nderojmë e kujtojmë të gjithë artistët, aktorët dhe regjisorët shqiptarë ndër vite, të cilët janë një pasuri e vërtetë dhe e çmuar kombëtare.

I kujtojmë të gjithë ata, sot më shumë se sa kurrë, pasi gjatë këtyre viteve, e sidomos ditëve të fundit, janë parë nga një audiencë jo vetëm shqiptare, duke përjetuar një dramë të vërtetë që ka tronditur të gjithë opinionin ndërkombëtar.
Protagonistë realë të një tragjedie, indiferentizmi dhe përçmimi për fat të keq nga institucionet – të dhunuar në bulevard apo të shoqëruar me pranga në rajonet e Policisë.

‘Vlerësimi universal i artit u përket atyre vendeve dhe atyre epokave që nuk sundohen nga materializmi,’ – ka thënë një personalitet i shquar, ndaj edhe sot artistët, aktorët, regjisorët, meritojnë respekt dhe vëmendje maksimale pasi ata janë shpirti dhe talenti i shoqërisë sonë.

Qytetet e Shqipërisë duhet të kenë më shumë teatro dhe kinema, dhe jo të shkatërrohen edhe ato pak që kemi trashëguar, sepse shoqëria jonë ka një nevojë të madhe për tempuj kulture, që ushqejnë, edukojnë dhe frymëzojnë rininë shqiptare të ndjekë rrugën dhe misionin e artit dhe të njohë trashëgiminë tonë kulturore dhe kombëtare.

Që të rinj e të reja të ecin në gjurmët e artistëve dhe aktorëve të mëdhenj të skenës dhe kinematografisë shqiptare, si Mjeshtri i Madh Kastriot Çaushi dhe një numër i madh personalitetesh të tjera të shquara të kësaj fushe, për të cilët ne do krenohemi gjithmonë, e që do mbeten të paharruar në zemrat dhe kujtimet e të gjithë shqiptarëve.”

This slideshow requires JavaScript.

Artikulli paraprakTRAJNERI I SHQIPËRISË, REJA: ËNDRRA JONË ËSHTË KUALIFIKIMI PËR NË BOTËRORIN E VITIT 2022
Artikulli tjetërMERKEL: SHPRESOJMË QË PLANI I BE-SË PËR RIMËKËMBJEN TË HYJË NË FUQI MË 1 JANAR 2021