STATISTIKAT TREGOJNË SE NIVELI I PAGËS MESATARE NGELET NJË NGA SHKAQET KRYESORE. Gjendja sociale dhe humbja e besimit në institucionet e Kosovës se do të angazhohen për përmirësimin e kushteve të jetesës

, potencohen në një hulumtim të prezantuar nga Grupit për Studime Juridike dhe Politike në Prishtinë se kanë ndikuar në rritjen e numrit të migrimeve jashtë vendit. Sipas kësaj ankete, personat që marrin të ardhura deri në 200 euro në muaj kanë gatishmëri dukshëm më të lartë për të migruar se ata me të ardhura deri në 400 euro. Në këtë analizë, theksohet po ashtu se individët, të cilët u takojnë grupmoshave nga 25 deri në 34 vjeç, kanë gatishmëri më të lartë për migrim, krahasuar me ata të grupmoshave mbi 65 vjeç. Një nga mënyrat për të frenuar dukurinë e migrimeve ilegale, sipas kësaj analize është që Qeveria në koordinim me vendet e BE-së të arrijë marrëveshje për punësimin sezonal të të rinjve nga Kosova. Në këtë pikë, Qeveria e Kosovës, ka vite është deklaruar se ka kontaktuar vende të BE-së për të siguruar punësime sezonale, por deri më tani nuk janë prezantuar shifra se sa ka qenë e efektshme në këto synime. Qeveria e Kosovës kohët e fundit është fokusuar shumë në thirrjet drejtuar Brukselit për liberalizimin e vizave, që sipas autoriteteve në Prishtinë, do të ndalte këtë trend të ikjeve. Një dukuri e tillë, tashmë nuk po paraqet shqetësim vetëm për institucionet e Kosovës, por edhe vende të BE-së, të cilat po bëjnë thirrje në ndaljen e këtij fluksi duke i paralajmëruar shtetasit e Kosovës se do të marrin përgjigje negative në kërkesat e tyre për strehim në këto vende.