Mikel Shallari pranon vrasjen e Artan Cukut. Tregon porositësit dhe vendin e fshehjes së armëve

Policia dhe prokuroria sigurojnë dëshminë e Mikel Shallarit që pranon vrasjen e Artan Cukut. I riu është dorëzuar përballe ekspertizës së AND-së duke treguar emrin e ndërmjetësuesit që ka kërkuar ekzekutimin e ish-drejtuesit të policisë. Shallari tregoi dhe vendin e fshehjes së armëve, që tashmë janë sekuestruar. Shallari, ka pranuar krimin duke treguar emrin e porositësit dhe vendin e fshehjes së dy armëve, të cilat i ka përdorur mbrëmjen e ekzekutimit. Burimet thonë se I riu ka pranuar krimin pasi është njohur me akt-ekspertimin e profilit të ADN-së së krahasuar nga autoritete zvicerane. Pas pranimit të krimit, mësohet se Shallari ka dërguar efektivët e policisë në fshatin Polovin të Kuçovës, ku edhe ka treguar vendin e fshehjes së armëve. Mësohet se ekspertët e laboratorit të policisë shkencore në prani të prokurorit kanë sekuestruar me cilësinë e provës edhe dy pistoletat që mendohet se I ka përdorur ditën e krimit, të cilat janë dërguar për ekzaminim. Sipas burimeve të policisë e prokurorisë, ende nuk ka përfunduar ky ekzaminim balistik e krahasues me gëzhojat dhe predhat e plumbave të gjetura në vendin e ngjarjes apo edhe në trupin e komisarit Artan Cuku. Nga ana tjetër, burimet nuk japin detaje për deklarimet e Mikel Shallarit, që mendohet se krimin e ka kryer për llogari të një personi të tretë kundrejt pagesës. Sipas këtyre burimeve, 24 vjeçari ka treguar edhe emrin e personit ndërmjetësues mes porositësit të vrasjes dhe atij me cilësinë e ekzekutorit, ka treguar për personin që e ka ndihmuar për gjetjen e armëve apo edhe për pagesën e fituar nga ky ekzekutim. Zyrtarisht për këto fakte si prokuroria ashtu edhe policia nuk pranojnë të flasin, duke pretenduar se janë drejt zbardhjes së ngjarjes. Ajo që për hetuesit tashmë është e qartë, është fakti se Mikel Shallari ka qenë në të njëjtin kohë, gjatë vitit 2014-2015 në të njëjtin burg me Bujar Dakën, vëllan e Agim Dakës, i vetëvrarë me pistoletën e komisarit Artan Cuku në vitin 2005. Veç këtij detaji, prokuroria e polici nuk përjashtojnë edhe pistën e hetimit të disa të rinjve nga Vlora dhe Fieri, të cilët janë përplasur verbalisht me Artan Cukun në kohën që ky I fundit ishte drejtues policie në Fier dhe Vlorë. Komisari Cuku u vra mbrëmjen e 8 prillit në hyrje të pallatit të tij.

Artikulli paraprakANKIMIMI I 3 LIGJEVE TË REFORMËS NË DREJTËSI SHQYRTOHET MË 19 KORRIK
Artikulli tjetërFITORJA E PS, RAMA MESAZH MBËSHTETËSVE DHE “ARMIQVE”