
Mirdita i jep shtetit shqiptar mbi 50 milionë euro në vit në formën e taksave nga aktiviteti minerar dhe energjitik, por shumë pak nga këto të ardhura janë kthyer në investime për zonën, e cila ka nevoja të shumta, kryesisht në infrastrukturë.Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi, thotë se ka një sërë kompanish që operojnë në këtë zonë dhe që përfshihen në rentën minerare, por pavarësisht përfitimeve që kanë, ato i pasqyrojnë këto të ardhura në bilancin e tyre vjetor në nivele shumë të ulëta.
Sipas Mëlyshit, Mirdita prodhon energji elektrike për mbi 20% të nevojave kombëtare, por nuk është investuar aspak në këtë sektor. Ndërkohë, ai thekson se financimi i projekteve të bashkisë nga qeveria shqiptare është thuajse zero.
Bashkia Mirditë është një nga gjashtë njësitë vendore në vend që drejtohet nga e djathta dhe nevoja për investime në këtë zonë mbetet e konsiderueshme.






