
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë publike detaje të reja mbi projektin e aksit rrugor Milot–Balldren, një segment strategjik prej 17 kilometrash që synon të përmirësojë qarkullimin dhe të reduktojë trafikun në veri të vendit.
Sipas të dhënave të prezantuara, autostrada do të përfshijë ura, nyje lidhëse, rrugë shërbimi, sisteme inteligjente të monitorimit të trafikut si dhe infrastrukturën e tarifimit. Projekti parashikohet të realizohet përmes modelit të partneritetit publik-privat (PPP), me një vlerë investimi prej rreth 365 milionë eurosh dhe me një periudhë koncesionare 35-vjeçare.
Një nga elementët më të rëndësishëm të projektit është ndërtimi i një tuneli modern me dy tuba, secili me gjatësi 850 metra, i cili do të mundësojë anashkalimin e qytetit të Lezhës. Tuneli do të jetë pjesë e segmentit të ri që do të ndërtohet mes Urës së Drinit dhe Balldrenit, në një zonë ku aktualisht mungon infrastruktura rrugore.
Autoritetet vlerësojnë se realizimi i këtij projekti do të përmirësojë ndjeshëm lëvizjen e automjeteve, do të rrisë sigurinë rrugore dhe do të lehtësojë lidhjen e korridoreve kryesore të transportit në vend.










